Ministri i punëve të Jashtme i Greqisë, George Gerapetritis, do të vizitojë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Mes tyre, në plan të vizitës së tij është edhe Kosova.
Gerapetritis thuhet se po përgatitet për të ndërmarrë iniciativa në lidhje me Ballkanin Perëndimor, para presidencës së Greqisë në Këshillin e BE-së, në pjesën e dytë të vitit 2027.
Kjo u bë e ditur nga media e njohur greke “ekathimerini”, e cila raportoi po ashtu se zyrtarët grekë dhe turq janë në kontakt për të finalizuar datat për sesionin e radhës të Këshillit të Nivelit të Lartë për Bashkëpunim Greqi-Turqi, i cili, sipas burimeve diplomatike të këtij mediumi, do të ndodhin padyshim në çerekun e parë të vitit 2026.
Sipas po të njëjtave burime, edhe Dialogu Strategjik Greqi-ShBA pritet të mbahet në çerekun e parë të vitit të ardhshëm në Athinë, ku pritet të marrë pjesë edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Këshilli i Nivelit të Lartë për Bashkëpunim Greqi-Turqi, i themeluar më 2010 për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin e strukturuar bilateral, është takuar me ndërprerje viteve të fundit, me sesionin e fundit të mbajtur dhjetorin e vitit 2023.
