Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, u ka bërë thirrje qytetarëve izraelitë të shmangin afërsinë me “objektet ushtarake dhe të inteligjencës”, ndërkohë që Irani vazhdon goditjet ndaj objektivave izraelite.
Në një postim në platformën X, Araghchi deklaroi se ushtria iraniane ka “eliminuar saktësisht” një qendër komanduese, kontrolli dhe inteligjence të Izraelit, si dhe “një objektiv tjetër jetik”, pa zbuluar vendndodhjen.
Ai shtoi se “vala e shpërthimit” shkaktoi “dëme sipërfaqësore” në Qendrën Mjekësore Soroka, pranë objektivit ushtarak, duke pretenduar se aty po trajtoheshin ushtarë izraelitë të plagosur në Gaza. Izraeli ka akuzuar Iranin për goditje direkte ndaj spitalit, ndërsa Teherani këmbëngul se objektivi ishte qendra komanduese ngjitur me të.
“Qindra iranianë të pafajshëm janë vrarë me gjakftohtësi që kur Izraeli nisi luftën e tij të paligjshme kundër popullit iranian javën e kaluar,” tha Araghchi.
“Forcat tona të fuqishme të Armatosura do të vazhdojnë të godasin kriminelët që sulmojnë popullin tonë, derisa ata të ndalojnë dhe të paguajnë për agresionin kriminal kundër kombit tonë,” shtoi ai.
Araghchi pritet të udhëtojë nesër në Gjenevë të Zvicrës për t’u takuar me përfaqësues të tre vendeve evropiane. Një diplomat tha për CNN se bisedimet janë eksploruese, për të “ndjerë atmosferën” dhe për të kuptuar çfarë mund të arrihet.