Ministri i Jashtëm i Polonisë dhe njëkohësisht kryesuesi i radhës i OSBE-së, Zbigniew Rau, ka qëndruar për vizitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Rau është pritur në takim nga Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe Kryeshefi i SKQZ-së, Burim Ahmetaj.
Kryesuesi i radhës i OSBE-së ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Polonisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Wojciech Tyciński, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport dhe të tjerë.
Fillimisht, Kryetari i KQZ-së e falënderoi Rau për vizitën në KQZ dhe i uroi punë të mbarë me kryesimin e OSBE-së.
Po ashtu, ai falënderoi Misionin e OSBE-së në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme për KQZ-në në fuqizimin institucional.
Nga ana e tij, Ministri Rau, në fjalën e tij, theksoi se: “Gjithmonë ka vend për përmirësimin e proceseve zgjedhore për të adresuar nevojat e reja, jo vetëm për të plotësuar ligjin, por edhe për t’i përshtatur praktikat politike. Kjo është përcaktuese për cilësinë e demokracisë”.
Gjithashtu, Rau theksoi rëndësinë e rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtar të zgjedhjeve dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme të OSBE-së për reformat zgjedhore në Kosovë.