Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi është shprehur se institucionet përkatëse po shqyrtojnë çdo skenar të mundshëm në lidhje me incidentin në uzinën e Gramshit, por dhe atë të Poliçanit me katër çekët e arrestuar.
Mbrëmjen e së shtunën, dy rusë dhe një ukrainas tentuan të hynin në uzinën e Gramshit. Ata u arrestuan nga policia shqiptare, ndërsa nuk munguan përleshjet mes tyre dhe rojeve të uzinës.
Në lidhje me incidentin Peleshi tha në konferencën për media se nuk ka asnjë cenim kombëtar, por minimalisht ka ushtrim dhune ndaj personave në detyrë.
Ndërsa theksoi se incidenti mund të jetë tentativë për të fshehur një skenar tjetër. Pelshi nuk la pa përmendur sulmin kibernetik që ndodhi disa javë më parë.
“Nuk përbën cenim të sigurisë kombëtare. Por cenim të rregullores. Kemi ushtrim dhune ndaj personave në detyrë. Por në këtë rast minimalisht kemi dhunë ndaj personelit me uniformë, agresion, maksimalisht nuk na lejohet të aludojmë. Por skenarët e mundshëm i mendojmë. Mund të jetë dhe tentativë për të fshehur skenar tjetër. Mos harroni se pak ditë më parë u përballëm me një sulm serioz kibernetik. Të gjitha ngjarjet i shohim të lidhura me njëra-tjetrën. Nuk na rezulton që këta shtetas, të kenë aplikuar dhe marrë leje apo herën e kaluar për të hyrë në uzinë”, tha Peleshi.