Retorika e vendeve që kufizohen me Kroacinë, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian ose të NATO-s dhe as nuk duan të jenë, është “shqetësuese”.
Kështu ka thënë në Zagreb, ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, duke e vënë theksin në Serbinë, e cila tha se tani ka “sisteme ofensive” serioze.
“Retorika e vazhdueshme nga këto vende është shqetësuese. Sipas informacionit që kemi, Serbia aktualisht ka sisteme sulmuese serioze që janë jashtëzakonisht komplekse, të shtrenjta dhe kanë qenë në proces blerjeje për katër, pesë ose gjashtë vjet”, citohet të ketë thënë Anushiq në një konferencë mbi industrinë evropiane të mbrojtjes në Zagreb.
Siç kujtojnë mediat kroate, të vetmet dy vende që kufizohen me Kroacinë, të cilat nuk janë anëtare të BE-së ose NATO-s, janë Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Sipas tyre, Beogradi zyrtar ende synon të vazhdojë blerjen e armëve “të cilat mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme nëse përdoren”, shtoi Anushiq në konferencën “Një epokë e re e sigurisë evropiane: Strategjia, investimet e përbashkëta dhe industria” të organizuar nga Zyra e Parlamentit Evropian në Kroaci.
Po sipas mediave kroate, Serbia po rikthen rekrutimin ushtarak, njoftoi presidenti Aleksandar Vuçiq në fund të janarit, duke thënë se ishte i shqetësuar për formimin e supozuar të aleancave ushtarake kundër Serbisë, me sa duket duke aluduar në bashkëpunimin ushtarak midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Ai shtoi se kapacitetet mbrojtëse të forcave ajrore dhe mbrojtjes ajrore janë rritur “në mënyrë drastike dhe dramatike”.
Anushiq pranoi se “nuk e di se cilat motive fshihen pas këtij procesi të armatosjes së Serbisë” dhe se nuk dëshiron të spekulojë, por se sipas tij, “çështja e mbrojtjes nuk duhet të shihet si diçka që nuk është e nevojshme sepse mund të mbështetemi në mbrojtjen e një vendi të tretë”.
“Ne duhet të përgatitemi për të mbrojtur kufijtë tanë, hapësirën tonë të jetesës dhe njerëzit tanë”.
Po kështu, sipas mediumit kroate, Evropa duhet të ndryshojë urgjentisht mënyrën se si funksionon kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe sigurinë, sepse deri më tani ka investuar në infrastrukturën civile, zhvillimin e shoqërisë civile, bujqësinë dhe ekonominë, ose gjithçka që nuk lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen, beson Anushiq.
Sipas tij, gjithashtu, Evropa duhet ta trajtojë çështjen e mbrojtjes, dhe veçanërisht mbrojtjen e kufijve të saj lindorë, si një e tërë e unifikuar, duke shtuar se është tepër vonë për ta bërë këtë.
“(Të gjitha vendet në kufijtë lindorë të) BE-së ose NATO-s duhet të kenë trajtim të veçantë në financimin e armëve dhe pajisjeve, sepse ato mund të jenë vendet e radhës që do të synohen dhe ndoshta do të testohen (për të parë) se sa e gatshme është NATO për të mbrojtur kufijtë e saj”, ka thënë më tej Anushiq.
Ai shpjegoi se po i referohej kryesisht vendeve baltike, Finlandës dhe Rumanisë, por edhe Kroacisë, e cila kufizohet me vendet në juglindje që nuk janë në NATO dhe as nuk duan të jenë.
Ai pranoi se fjalimi i tij mund të duket “shumë i errët”, por argumentoi se nëse diskutimet do të ishin bërë kështu në vitin 2014, kur u shfaqën shenjat e para të problemeve të sotme, përkatësisht aneksimi rus i Krimesë, “nuk do të kishim pasur as një përqind të këtyre shqetësimeve që kemi sot”.
