Ministri i Shëndetësisë: Të gjithë të lënduarit nga tragjedia në Koçan janë jashtë rrezikut për jetë

Ministri i Shëndetësisë: Të gjithë të lënduarit nga tragjedia në Koçan janë jashtë rrezikut për jetë

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka thënë se pacientët me gjendjen më të rëndë nga tragjedia në Koçan ishin ata që u dërguan në orët e para për kurim në vendet fqinje.

Taravari tha se kanë dërguar pacientë për shërim në Greqi, Sofje dhe disa pacientë në Serbi.

“Ofertat që bëheshin për kurim jashtë vendit ishin normalisht nga vendet fqinje. Çuam diçka në Greqi, diçka në Sofje dhe disa pacientë në Serbi. Dhe ato hapësira na u liruan, kështu që pacientët nga Koçani i morëm në Shtip dhe të nesërmen, të hënën, rreth 37 pacientë u dërguan jashtë vendit”, tha Taravari për TV21

Ai u shpreh se Ministria e Shëndetësisë do ta nderojë pos-mortum shoferin e ambulancës nga Koçani, Ile Gocevski, i cili punoi pa u lodhur në atë natë të kobshme dhe u ndihmoi të lënduarve nga zjarri para se të ndërronte jetë.

“Shoferi i ambulancës Ile Gocevski, i cili humbi jetën një ditë pas tragjedisë do të nderohet nga Ministria e Shëndetësisë”, u shpreh Taravari

Më tej, Taravari tha se të gjithë 173 pacientët që po trajtohen brenda dhe jashtë vendit janë në gjendje stabile, teksa shtoi se 10 prej tyre që janë në Maqedoninë e Veriut janë në gjendje të rëndë por jashtë rrezikut për jetën.

“Shumica e tyre janë duke u përmirësuar. Nga gjithsej 20 pacientë që ishin në gjendje kritike, sot konstatojmë se 10 janë në gjendje më të rëndë, por prapë jashtë rrezikut për jetën”, tha ai.

“Janë disa parregullsi që janë konstatuar nga DZSI, për të cilat drejtori është dashur të ketë kujdes dhe që kjo të mos ndodhë, të mos ndodhin ngjarje të tilla”, tha Taravari.

Ai shtoi se drejtori i spitalit është shkarkuar pasi DZSI ka konstatuar një sërë parregullsish në spital.

Related Articles