Gazetari propagandues Vudi Xhymshiti akuzoi sot ish-presidentin Hashim Thaçi si udhëheqës të një “infrastrukture vrastare”, e cila “mbetet ende gjallë sot”.
Komentet akuzuese ndaj njërit prej themeluesve dhe udhëheqësve të UÇK-së, ai i bëri të mërkurën para shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Infrastruktura vrastare, brutale, primitive dhe banditeske e Hashim Thaçit është ende gjallë. Por, ajo që mund ta konfirmoj në sajë të vëzhgimeve tona, është jashtëzakonisht e dobët, shumë e vogël. Sepse, sikur të ishte e fortë – në një rast si ky – këta do të na vrisnin sepse këta janë gjakatarë”, tha Xhymshiti, prania e së cilit të mërkurën para objektit të Gjykatës Speciale shkaktoi reagime të ashpra nga turma e përkrahësve të udhëheqësve të UÇK-së.
Postimin e Xhymshitit me përmbajtje akuzuese për krime ndaj Thaçit, e ka pëlqyer edhe një zyrtar i lartë qeveritar: Blerim Gashani, i cili u rikonfirmua të dielën në pozitën e ministrit të Sportit në Qeverinë Kurti 4.

Postimi të cilin e ka pëlqyer ministri, i cilëson mercenarë, primitivë dhe të paedukatë veteranët e UÇK-së dhe përkrahësit që ishin mbledhur para objektit të Gjykatës Speciale në Hagë.
“Sapo u pamë nga Hysni Gucati, kreu i veteranëve të luftës, që me të drejtë ju kam referuar kreu i mercenarëve, një masë relativisht e vogël e njerëzve të tërbuar e të paedukatë na u ndërsyen. Fillimisht na shtynë me brryla dhe kur panë që ne nuk frikoheshim, ata u tërhoqen dhe i mblodhën primitivët e tjerë”, tha Xhymshiti.
“Ne kërkuam mbështetje nga autoritetet holandeze të cilat menjëherë i grumbulluan forcat policore rreth nesh, na mbrojtën, dhe pasi komunikuam në Londër dhe me autoritetet e shtetit britanik të cilët janë përgjegjës për sigurinë tonë, e vlerësuam që situata e sigurisë nuk ishte e volitshme”, pretendoi ai.
Propaganduesi Xhymshiti tha se u largua nga zona ku ndodhet objekti i Gjykatës Speciale për shkak të sigurisë së tij.
“Infrastruktura vrastare, brutale, primitive dhe banditeske e Hashim Thaçit është ende gjallë. Por, ajo që mund ta konfirmoj në sajë të vëzhgimeve tona, është jashtëzakonisht e dobët, shumë e vogël. Sepse, sikur të ishte e fortë – në një rast si ky – këta do të na vrisnin sepse këta janë gjakatarë”, pretendoi Xhymshiti
