Në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dhuruar gjak në shenjë solidariteti dhe përkushtimi ndaj shëndetit të komunitetit.
Maqedonci tha se ky veprim simbolizon frymën e ndihmës dhe mbështetjes që të gjithë duhet të tregojmë për njëri-tjetrin.
“Dhurimi i gjakut duhet kuptuar si ndihmë aktive ofruar shoqërisë, kjo për shkak se nevoja për gjak është konstante e ndërsa qëndrueshmëria e limituar, andaj dhe dhurimi i gjakut duhet bërë në mënyrë periodike”, u shpreh Maqedonci.
Që nga data 13 maj në ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës ka filluar sesioni i parë i dhurimit vullnetar të gjakut e që do të vazhdojë deri më 24 qershor. Ky aktivitet po zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit mes ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.
Dhurimi vullnetar i gjakut është aktivitet i planifikuar dy herë në vit në ministri të Mbrojtjes dhe FSK.