Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka vizituar Minire Nurën, nënën e dëshmorit Taulant Nura, e cila ditë më parë ishte rrahur nga një infermiere në shtëpinë private të kujdesit, “Orenda”.
“Sonte ishim në Gjakovë, vizitë tek nëna Minire, e cila i dha kombit shqiptar djalin e saj, dëshmorin e lirisë, Taulant Nura”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
“Nënat e ushtarëve të UÇK-së, nënat tona janë më meritoret për lirinë e vendit. Janë ato që na edukuan, na rritën e gdhendën brenda nesh dashurinë për atdheun dhe kombin tonë. Ne ndjehemi borxhli ndaj shumë kujt, por borxhin më të madh ua kemi atyre”.
Mehaj tha që shqiptarët nuk duhet t’ia lejojnë vetes që ta harrojnë sakrificën e nënave shqiptare.
“Ne nuk guxojmë t’ia lejojmë vetes e as pasardhësve tanë që t’i harrojmë ato, të harrojmë sakrificën dhe qëndresën e tyre, e aq më pak nuk guxojmë as të mendojmë të mos t’i respektojmë. Kjo nuk na falet, këtë nuk guxojmë ta falim”.
“Kujdesi i familjes nuk ka munguar asnjëherë për nënën Minire. Djali i saj, Taulanti iu bashkua UÇK-së qysh në moshën 17 vjeçare, ai nuk dallohej vetëm për nga mosha, por edhe për nga guximi i cili buronte thellë nga shpirti i tij. Dëshmi për këtë na ka mbetur edhe videoja e tij, kur pyetet se: A ke frikë?, e ai përgjigjet: Jo more çfarë frike…”
“Nëna Minire, ia fali djalin e saj atdheut i cili ra dëshmor, por fitoi zemrat e gjithë shqiptarëve, gjithashtu djemtë e ushtrisë sonë janë të gjithë si të ishin djemtë e saj, të gjithë ne do t’i gjendemi pranë sa herë që ka nevojë”.
“Dëshmorët tanë nuk do t’i harrojmë asnjëherë, rrugës së tyre do të ecim gjithmonë. Lavdi!”