Ministri Murati paralajmëron ligj të ri për tatimin në pronë

Ministri Murati paralajmëron ligj të ri për tatimin në pronë

I pari i Financave të Kosovës, Hekuran Murati, paralajmëroi ndryshim të ligjit aktual që sipas tij, ka çuar në rritjen e faturës për tatimin në pronë.

Ai tha se qeveria ka filluar me hartimin e një ligji të ri, i cili sipas tij, është në fazat finale dhe në atë ligj parashihet që të adresohen një sërë e çështjeve, për të cilat Murati tha se i kanë parë si problematike.

“Në këtë ligj ideja është që të ketë një tatim progresiv, pasi edhe pse kanë interval komunat aktualisht, tatimi është i sheshtë, pra si për atë që i ka 100 mijë euro prona si për atë që i ka 5 milionë euro prona, komuna mund të përcaktojë një normë tatimore të sheshtë”, është shprehur Murati.

Tutje, ai tha se me ligjin e ri parashihet edhe përfshirja e të gjitha pronave, pasi sipas tij, ka pasur raste kur në ligjin aktual që është në fuqi, janë privatizuar toka, e në emër të tokave bujqësore është parandaluar tatimi.

“Çështja tjetër që parashihet është edhe përfshirja e gjithë pronave, sepse e kemi pasur rastin kur në ligjin aktual që është në fuqi, në emër të tokave bujqësore është parandaluar tatimi i atyre personave që kanë privatizuar qindra hektarë përmes procesit të privatizimit”.

“Pra, gjoja në emër të lirimit të tokave bujqësore të punuara është thënë se do të lirohen nga tatimi dhe kjo ka rezultuar që persona që kanë privatizuar 300-400 hektarë tokë me çmime qesharake, nuk paguajnë as tatim në pronë tani me ligjin aktual”.

Related Articles