Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka pritur në takim shefen ekzekutive të MCC-së, Alice Albright.
Në një komunikatë për media, kjo ministri ka dhënë detaje se çka kanë biseduar ata.
“Përgjatë takimit, Ministri Murati falënderoi drejtoreshën Albright për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë amerikane në fushën e energjisë, duke shprehur gatishmërinë e tij për të thelluar edhe më tej këtë bashkëpunim. Drejtoresha Albright, në anën e saj, u shpreh se një investim i tillë në Kosovë po bëhet në kohën e duhur, duke konsideruar zhvillimet e fundit me krizën globale energjetike.”
Ndër të tjerash, thuhet se Murati ka thënë se ministria që ai udhëheq mbetet e përkushtuar në mbështetjen e projektit Kompakt, ndërsa Albright ka shprehur gatishmëri të plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit të marrëveshjes.
Komunikata e plotë:
Ministri Murati priti në takim Shefen Ekzekutive të MCC znj. Albright
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka pritur sot në takim Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Alice Albright.
Përgjatë takimit, Ministri Murati falënderoi drejtoreshën Albright për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë amerikane në fushën e energjisë, duke shprehur gatishmërinë e tij për të thelluar edhe më tej këtë bashkëpunim. Drejtoresha Albright, në anën e saj, u shpreh se një investim i tillë në Kosovë po bëhet në kohën e duhur, duke konsideruar zhvillimet e fundit me krizën globale energjetike.
Me këtë rast, Ministri theksoi se ministria që ai drejton mbetet e përkushtuar në mbështetjen e projektit Kompakt, i cili është i një rëndësie tejet të veçantë për qëndrueshmërinë e sektorit energjetik në vend, veçanërisht në diversifikimin e burimeve energjetike.
Znj. Albright shprehu gatishmëri të plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të marrëveshjes, dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në fushën e energjisë, siç edhe parashihet me programin Kompakt.
Programi Kompakt zbatohet në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit dhe kap vlerën prej 236.7 milionë dollarë amerikan.