Ish-ministri rus i Transportit, Roman Starovoit, është gjetur i vdekur në makinën e tij me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, kanë konfirmuar hetuesit disa orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin e ka shkarkuar papritur nga detyra.
Lajmi ka ardhur në mesin e një vale sulmesh ukrainase me dronë, që kanë çrregulluar trafikun ajror dhe kanë shpërfaqur dobësi brenda territorit rus.
Svetlana Petrenko, zëdhënëse për Komitetin Hetues të Rusisë, ka thënë më 7 korrik se trupi i Starovoit është gjetur në makinën e tij personale në zonën Odintsovo në rajonin e Moskës.
“Jemi duke punuar për t’i zbuluar shkaqet që kanë çuar në vdekjen e Roman Starovoitit. Teoria fillestare është vetëvrasja”, ka thënë Petronko.
Starovoit, pasi ka qenë në detyrë për gati një vit, është larguar nga zyra me një vendim të Putinit më herët gjatë ditës, pa ndonjë sqarim.
Pas shkarkimit të tij, Putin e ka emëruar Andrei Nikitinin, zëvendësministër të Transportit dhe ish-guvernatorin e rajonit të Novgorodit, si ministër në detyrë.
Ndonëse zyrtarët rusë nuk e kanë lidhur shkarkimin e Starovoitit me krizën në sektorin e aviacionit, disa analistë vlerësojnë se koha rrit pikëpyetje për faj të mundshëm në mesin e rritjes së sfidave ushtarake dhe logjistike.
Mediat lokale kanë raportuar ndryshe-ndryshe për vdekjen e ish-ministrit, dhe madje disa kanë pasur të dhëna krejtësisht ndryshe se ku është gjetur trupi dhe arma.
Ministria ruse e Transportit ka raportuar më 6 korrik se rreth 400 fluturime janë anuluar në nivel kombëtar deri në mbrëmje, duke u bërë thirrje pasagjerëve që të konsiderojnë udhëtimin me tren.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se i ka rrëzuar 91 dronë ukrainas përgjatë natës, kryesisht në rajonet e Belgordoit, Kurskut dhe Lipetskut.
Sipas burimeve ukrainase, dronët e kanë shënjestruar centralin kimik Krasnozavodsk në rajonin e Moskës, objekt i lidhur me prodhim të lëndëve shpërthyese, ndonëse informacioni mbetet ende i pakonfirmuar.
Më 7 korrik, edhe forcat ushtarake ruse i kanë nisur sulmet e tyre në Ukrainë.
Forca ajrore ukrainase ka thënë se i ka rrëzuar 75 prej 101 dronëve rusë dhe i ka neutralizuar katër raketa tokë-ajër.
Megjithatë, sulmet me dronë e kanë dëmtuar infrastrukturën në Odesa, kanë vrarë një roje të sigurisë dhe kanë plagosur 27 persona në Harkiv, përfshirë tre fëmijë.
Edhe Kievi është goditur, me dëme të raportuara në tri zona, por pa viktima.
Qeveria ukrainase dhe vëzhguesit ndërkombëtarë besojnë se Rusia është duke shënjestruar qëllimshëm infrastrukturën civile, përfshirë shtëpitë, shkollat, spitalet, sistemet e energjisë, si dhe qendrat për ujë.
Moska e mohon se shënjestron zona civile, pavarësisht rritjes së dëshmive për sulme të tilla prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.