Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka deklaruar se Serbia është e gatshme të përgjigjet në çdo përshkallëzim të situatës pas aplikimit të masës së paralajmërimit nga Qeveria e Kosovëzs për ata që nuk i kanë zëvendësuar ende tabelat në RKS.
Vuçeviq tha se si ministër i Mbrojtjes nuk ka të drejtë të frikësohet nga situata në Kosovë, por se është i shqetësuar për një përshkallëzim të mundshëm.
“Vijat tona të kuqe janë: nuk ka Stuhi, Vetëtimë, jo 2004. Nëse ndodh një pogrom i serbëve, Serbia do të përgjigjet në mënyrë adekuate”, tha ministri i ri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq në një paraqitje televizive.
Ai tha se Serbia ka një përgjigje të përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm.
“Dhe çfarë mund të bëjë Serbia nëse ka përshkallëzime, shpërthime, tensione në rritje, trazira? Nuk mund të bëjmë asgjë?”, e pyeti prezantuesi, Vuçeviqin.
“Serbia nuk dëshiron destabilizimin e rajonit. Ajo nuk dëshiron, Zoti na ruajt, konflikte apo luftëra. Ne bëmë më shumë luftëra sesa duhej të kishim në shekullin e 20-të. Por administrata në Prishtinë duhet ta dijë se dëshira jonë për paqe, dialog dhe kompromis nuk është shenjë dobësie. Dhe nuk është kërcënim për askënd, ne nuk luajmë me ato gjëra. Këto nuk janë lojëra lufte! Ky është mesazhi i një shteti të përgjegjshëm. Kjo është një ftesë për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve. Serbia nuk do të jetë thes i grushtimit”, u shpreh Vuçeviq.
Vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës, në lidhje me targat ilegale të automjeteve në veri të Kosovës ka hyrë në fuqi më 1 nëntor. Ky plan do të zbatohet në disa faza dhe parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS.
Periudha e qortimit për qytetarët me targa ilegale do të jetë deri më 21 nëntor e më pas do të hyjë në fuqi periudha e dytë ajo e gjobitjes.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se qytetarët në veri deri më 31 mars do të mund të përfitojnë lehtësirat tatimore pasi të riregjistrojnë makinat e tyre në RKS. I pyetur se nëse ky vendim nënkupton shtyrje të afatit për targa, ai tha se Kosova nuk e ka shtyrë zbatimin e vendimit, por “ne e kemi përshkallëzuar dhe sekuencuar atë”.
Kurti ka thënë se për planin e ri për targat i ka informuar edhe përfaqësuesit e QUINT-it, me të cilët ka biseduar para mbledhjes së Qeverisë.
Por, pas bërjes publike të vendimit të Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja u shprehën të “zhgënjyera” me mosshtyrjen e afatit për riregjistrim. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosovatë shtyjë afatin për targat për dhjetë muaj./BlicTV