Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me delegacionin që e shoqëronte, në përbërje të të cilit, zyrtarë të lartë të Ministrisë e Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës, zhvilloi të enjten një takim zyrtar me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi, raporton Gazeta Enigma.
Të dy homologët diskutuan për funksionimin e marrëveshjes kufitare mes dy vendeve, mundësinë e rikategorizimit të pikës kufitare të Shishtavecit dhe çështje të tjera me interes të të dy vendeve.
Në këtë takim u bisedua gjithashtu edhe për intensifikimin e bashkëpunimit policor në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe trafikimit në të dyja anët e kufirit, si dhe koordinimin për çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit evropian të dy vendeve.
Po ashtu pjesë e diskutimit ishte dhe çështja e lehtësimit të mëtejshëm të lëvizjes së lirë të njerëzve, sidomos atyre që banojnë në brezin kufitar Shqipëri-Kosovë. /Gazeta Enigma/