Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë vizitës në Itali është takuar me homologun e tij, Matteo Piantedosin.
Sveçla tha se me Piantedosin folën për përpjekjet e përbashkët kundër krimit të organizuar, migrimit të paligjshëm, trafikimit dhe bashkëpunimit mes policisë së dy shteteve.
“Sot u mirëprita nga homologu im italian, ministri Matteo Piantedosi. Diskutuam për përpjekjet tona të përbashkëta kundër krimit të organizuar, migrimit të paligjshëm, trafikimit dhe bashkëpunimit të shkëlqyer mes forcave tona të policisë. Falënderues për mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës”, shkroi Sveçla.
Në lidhje me takimin, ministria e Brendshme e Italisë tha se dy ministrat ndër të tjera folën për trafikimin e të miturve dhe bashkëpunimit të forcave të policisë që veprojnë në sinergji të plotë në fronte të ndryshme.
“Në qendër të takimit të përzemërt ishte tema e migracionit, lufta kundër trafikantëve, lufta kundër organizatave kriminale të dedikuara për trafikimin e të miturve dhe bashkëpunimi i forcave të policisë, të cilat veprojnë në sinergji të plotë në fronte të ndryshme”, thuhet në njoftimin e ministrisë.