Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se është e papranueshme që në Republikën e Kosovës, në territorin e saj të ketë veprimtari që janë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke folur për mbylljen e disa institucioneve paralele në veri të Mitrovicës.
“Një praktikë e tillë është toleruar tashmë jashtëzakonisht gjatë. Të gjitha institucionet ilegale që operojnë në Kosovë, në një kohë apo tjetër, do ta kenë fatin e njëjtë, sikur ato që tashmë janë mbyllur. Është çështje e përgatitjeve operacionale të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla.
Sa i përket mbylljes së institucioneve arsimore dhe shëndetësore, Sveçla tha se sipas Pakos së Ahtisaarit, komuniteti serb në këto dy sfera, përmes qeverisjeve komunale, ka një autonomi më të gjerë.
“Do të thotë, shëndetësia dhe arsimi kanë disa të drejta shtesë, disa privilegje, të cilat ne nuk jemi të interesuar që t’i prekim, sepse janë edhe në ligj. Andaj, në këto fusha do të jemi më të kujdesshëm, në kuptimin e përcaktimit të saktë të veprimtarisë së tyre brendapërbrenda ligjeve të Kosovës”, deklaroi ministri.
“Krejt çfarë do të bëjmë, është të kërkojmë që ligjet e Kosovës të zbatohen me përpikëri. Ministria e Shëndetësisë tashmë i ka komunikimet e nevojshme me sistemin shëndetësor, i cili punon në këto komuna. Unë besoj se krejt çfarë nevojitet, është një koordinim i shtuar mes të dyja palëve, në mënyrë që çdo gjë të futet në bazën e ligjshmërisë. E njëjta gjë do të duhej të ishte edhe me sistemin arsimor”, u shpreh tutje Sveçla.