Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot vizitoi Klinikën e Kardiologjisë në QKUK.
Vitia vizitoi edhe Shërbimin e Kardiologjisë Invazive dhe Njësinë Intensive të kësaj klinike, ku gjatë bashkëbisedimit me udhëheqësit dhe stafin mjekësor të klinikës, siç informoi MSh, drejtori i klinikës së Kardiologjisë, Lulzim Kamberi e informoi ministrin se kjo klinikë është ndër të parat që ka rregulloren e brendshme të punës, e cila ka lehtësuar trajtimin e pacientëve në këtë klinikë.
“Dr. Kamberi ka paraqitur statistikat e punës, duke theksuar se planifikohet që të rritet vëllimi i punës edhe pas orës 13:00 në Shërbimin e Kardiologjisë Invazive për rastet elektive, me që për rastet urgjente punohet 24 orë. Ministri Vitia potencoj se është në dijeni që ka pasur fluks të madh të pacientëve, andaj i përgëzoj stafin për punën, nga se brenda një viti, në këtë klinikë janë trajtuar mbi 6000 pacientë, kurse e gjithë Klinika Interne ka trajtuar 8000 pacientë.”, u bë e ditur në komunikatë.
Gjatë kësaj vizite, u tha se do të shikohet mundësia e investimeve në infrastrukturë, në drejtim të zgjerimit të kapaciteteve. Gjithashtu, Vitia theksoi se sa i përket listës së pritjes, do të diskutohen dhe trajtohen kërkesat me qëllim të uljes së listës së pritjes.
Po ashtu, Vitia foli edhe për trajnimet e stafit mjekësor, duke ofruar mbështetjen e plotë të Ministrisë së Shëndetësisë për këto aktivitete.