Ministria e Arsimit, “e verbër” karshi organizimit të nxënësve

Ministria e Arsimit, “e verbër” karshi organizimit të nxënësve

Ministria e Arsimit po vazhdon të hesht karshi riorganizimit të shkollave në Kosovë.

Një ndër problemet kryesore me të cilat po përballen shkollat viteve të fundit është ulja e numrit të nxënësve, që po konsiderohet shkaktari kryesor i zbrazjes së shkollave, kryesisht në fshatra, raporton Kiks Kosova.

Përderisa, në një anë disa prej tyre pothuajse janë boshatisur, në disa të tjera po “vlohet” nga nxënësit.

Para disa muajsh, Kiks Kosova pati raportuar për shkollën fillore “Sami Frashëri” në Zhiti të Podujevës.

Në këtë shkollë, e cila dikur numëronte qindra nxënës, tashmë në të kanë mbetur vetëm 8 prej tyre, e brenda një klase ka që mëson vetëm një nxënës.

Madje e veçanta e krejt kësaj është se aty ligjërojnë 9 mësimdhënës.

Nga drejtoria e kësaj shkolle patën vlerësuar se lëvizja e popullatës nëpër qytete e migrimi në vendet evropiane janë shkaktarët kryesorë të kësaj gjendje.

Por fajin kryesor ia kanë lënë institucioneve arsimore, të cilat sipas tyre nuk kanë investuar fare në infrastrukturën shkollore.

Nga drejtoria e Arsimit të kësaj komune, kishin bërë të ditur se viteve të fundit janë regjistruar 4 mijë nxënës më pak, gjë që sipas tyre i ka shtyrë t’ia vënë drynin disa shkollave.

E shumë më e rënduar kishte qenë gjendja në shkollën fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë të Mitrovicës.

Në hapësirat e klasave të nënta, dëgjohej vetëm zëri i Zana Murselit, e cila kishte mbetur e vetme nga të gjitha paralelet.

Por gjendja krejtësisht e kundërt është në kryeqytet.

Shumica e shkollave mezi po e përballojnë numrin e madh të nxënësve.

Kështu ka ngjarë në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në të cilën mezi u gjendet vend atyre.

E për organizimin e numrit të nxënësve nëpër shkolla më së shumti e kishte ngritur zërin ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Kastrati kishte vendosur që prej 29 shkollave t’i bëjë 10, pasi që shumë prej tyre kishin më pak se 5 nxënës.

I njëjti kishte synuar organizimin e udhëtimit të tyre deri në sigurimin e shujtave të ushqimit.

Megjithatë, kjo nuk arriti të realizohet, ani pse Gjykata Supreme i kishte dhënë të drejtë atij. Me humbjen e zgjedhjeve, gjithçka u kthye në pikën zero.

Related Articles