Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci në këtë të shtunë, bashkë me zv/ministrin nga Ministria për Zhvillim Rajonal, Agon Dobruna, qëndruan për vizitë tek dy familje të cilat merren dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre bujqësor në komunën e Gjakovës.
Fermeri Luan Markaj nga fshati Korenicë, falë mbështetjes konkrete nga ana e Qeverisë ka rritur numrin e lopëve qumështore nga 15 në 31 krerë, e numrin e viçave për majmëri nga 5 deri në 25 krerë. Krahas fermës blegtorale, Luani punon zellshëm tokën. Ai ka trefishuar sipërfaqet e mbjella me misër nga 8 ha në 21 ha, ndërsa ka dyfishuar sipërfaqen e mbjellë me grurë nga 5 ha në 11 ha. Gjithsej, me tokë të punueshme e kullosa, Luani posedon 120 ha.
Në fshatin Babaj i Bokës, Ministri Peci dhe zv/ministri Dobruna u pritën nga Luan Muzlinë, një fermer shembullor, i cili në fermën e tij numëron 50 krerë lopë, prej të cilave 25 krerë qumështore, të cilat brenda ditë japin 500 litra qumësht. Luani gjithashtu punon rreth 50 ha tokë mes së cilave 20 ha misër, 10 ha grurë, ndërsa pjesa tjetër thekër e tërshërë dhe pret që këtë vit edhe rendimenti të jetë i lartë.
Pas këtyre vizitave, Ministri Peci tha se kudo që shoh e takoj bujq të zellshëm e mbi të gjitha fermerë të kënaqur me punën tonë, inspirohem që të kontribuoj edhe më shumë drejt zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së sektorit të bujqësisë dhe bujve meritorë. “Falë përkrahjes nga Programi për Zhvillim Rural 2023 e që do të hapet së shpejti, Kosova do t’i ketë 18 milionë litra qumësht shtesë nga viti 2024 e tutje. Kemi rritur konkretisht përkrahjen financiare e për këtë kemi dëshmitarë bujqit në çdo cep të Kosovës, si dhe kemi eleminuar burokracitë e panevojshme duke rritur kontrollin në teren”, shtoi mes tjerash Ministri Peci.