Avokati Skënder Musa ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka ndryshuar udhëzimin administrativ që më herët lejonte sigurimin e fondeve shtesë për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me gjykimin në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas tij, fshirja e nenit 11 nga udhëzimi administrativ, nen që mundësonte kërkesa për buxhet shtesë në raste të veçanta, ka rrezikuar seriozisht cilësinë e mbrojtjes në fazën më kritike të procesit.
“Është e tmerrshme që një pushtet shqiptar në Kosovë, një ministri e Drejtësisë që udhëhiqet prej një shqiptari e largon nenin nga udhëzimi administrativ që duhet të paguhen edhe pagesa shtesë që i kërkon mbrojtja në një proces kaq të rëndësishëm për Kosovën. Dhe në këtë fazë që është vendimtare për që të paraqitet mbrojtja më efikase. Është e pamundshme që çdo ekip tjetër të përgatit në fazën përfundimtare të procesit. Dhe të jetë efektive mbrojtja ashtu e siç ka qenë mjaftë e ashpër Prokuroria Speciale në raport me të akuzuarit dhe me mbrojtjen. Dhe në çdo pikë prokurorët special e kanë shfrytëzuar që mbrojtja të duket sa më e dobët”, ka thënë Musa.
Musa ka shtuar se përgjegjësia për këtë situatë bie drejtpërdrejt mbi Ministrinë e Drejtësisë, duke i fajësuar se “kanë punuar në favor të Prokurorisë Speciale dhe jo në favor të mbrojtjes”.
“Pa asnjë dyshim konsideroj që Ministria e Drejtësisë, personat përgjegjës prej ministri deri personat përgjegjës që janë për financa kanë punuar në favor të prokuroria speciale dhe jo në favor të mbrojtjes’”, ka thënë Musa.