Ministria e Infrastrukturës i jep mbi 288 mijë euro shtesë për rrugën Prishtinë – Podujevë

Ministria e Infrastrukturës i jep mbi 288 mijë euro shtesë për rrugën Prishtinë – Podujevë

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar një kontratë për punë shtesë në zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, me vlerë prej mbi 288 mijë euro, raporton Enigma.

Kontrata është nënshkruar të premten teksa punët shtesë do të kryhen në Lotin 3.

Punimet do t’i kryejë konsorciumi “Agbes Construksion shpk; Arbotec SH.P.K.; GEO CONSTRUCTION sh.p.k; MINERAL L.L.C.; BM Group SH.P.K.”.

Kontrata për punë shtesë janë dhënë edhe për lotet e tjera.

Në dosjen e tenderit janë dhënë disa specifika tek çmimi.

“Në çmimi duhet të përfshihet furnzimi i materialit ,instalimi dhe sjellja e produktit në gjendje funksionale .Te gjitha produktet duhet të jenë kuialitative dhe ofertuesi në ofertën e tij duhet të përfshije certifikatat e kualtitetit dhe te standarteve  si dhe broshurat apo katalogjet e produkteve me të dhënat teknike të produktit me të cilat merr pjesë në tender.Kontrollimi dhe evidentimi i instalimeve nëntokësore, zgjedhja e problemeve eventuale që lidhen me planin operativ të ndërtimit si dhe përpilimi i planit detal operativ që lidhet më procesin e ndërtimit. Në çmim të llogaritet edhe kosto eventuale e detektimit me aparatura elektronike për instalime nëntokësore si dhe evidentimi i saktë i instalimeve që duhet të mirëmbahen gjatë kohës se ndërtimit  dhe ne rast demtimi te behet riparimi i tyre (rrjeti elektrik, rrjeti i telefonisë shtepiake,rrjeti i ujesjellesit etj) dhe infrastruktua mbitokësore”, thuhet në dosje.

Sipas dosjes së tenderit, rruga Prishtinë-Podujevë është dashur të përfundojë në fund të muajit gusht. Punimet në këtë rrugë kanë filluar me 3 korrik 2023 e finalizimi i tyre është paraparë të bëhet për 425 ditë, rrjedhimisht 31 gusht të këtij viti. Kjo nuk ka ndodhur.

Mirëpo, Ministri Aliu ka shprehur besim se kjo rrugë do të përfundojë gjatë mandatit të tij.

“Normalisht është një vit afati kohor, duke i përfshirë ditët e punës dhe me mundësi që ato edhe kur ka probleme me motin, mund të ketë shtyrje e mos llogaritje të ditëve, e që normalisht ky 365 ditësh nuk përfundon saktë gjithmonë. Tek rasti i rrugës së Podujevës, po shkon gjithçka brenda afatit deri tash. Tek urat, ura e Lluzhanit, ura në Vranidoll, ura në Bardhosh, kemi pas ngecje për shkak të disa shtyllave të KEDS’it, por të gjitha janë probleme që po zgjidhen edhe po ec sipas ritmit”, ka thënë Aliu.

Related Articles