Katër shtetas çekë janë arrestuar sot në Poliçan të Beratit, pasi që të njëjtit ishin zënë duke fotografuar uzinën e armëve në këtë zonë.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm.
“Rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm, tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar. Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Më tej në njoftim thuhet se rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm.
“Personat e mësipërm janë ndaluar dhe aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në vend”, thuhet në njoftim.
Ndryshe Euronews Albania ka siguruar fotografinë e njërit nga çekët e arrestuar teksa fotografonin uzinën e armëve në Poliçan. Ata kanë pohuar se janë turistë dhe nga kontrolli nuk u është gjetur asnjë send i paligjshëm.