Nga 1 shtatori deri më 5 tetor, tetë makina që kanë pasur targa të lëshuara nga autoritetet serbe, janë riregjistruar në targa RKS (Republika e Kosovës).
Kështu thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.
“Regjistrimet janë bërë në tetë komuna të ndryshme, prandaj nuk mund ta theksojmë ndonjë komunë me interesim më të madh. Gjithashtu, tani e tutje të gjithë qytetarët mund të regjistrojnë automjetet e tyre me targa të rajonit që i përkasin, në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve, pavarësisht nga vendbanimi i tyre në Republikën e Kosovës”, thanë nga MPB-ja.
Qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, me akronime të qyteteve të Kosovës sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme, mund t’i regjistrojnë ato në targa RKS deri në fund të tetorit.
Vlerësohet se rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Por, pas 31 tetorit, autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar se qytetarët me makina me targa të lëshuara nga Serbia, nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës e as ta kalojnë kufirin./REL