Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që drejtohet nga Rozeta Hajdari, ka vendosur që një tender prej 30 mijë eurove t’ia japë një kompanie amerikane. Krejt kjo është bërë me negocim, pa pasur fare konkurrencë. Vlera e tenderit kap shumën e 30 mijë eurove.
30 mijë euro është shuma që ka vendosur ta shpenzojë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për një kontratë për “Shërbime juridike për nevojat e Inspektoratit të Tregut”.
Tenderi dhe kontrata është negociuar dhe i është dhënë kompanisë “Arent Fox LLP”, me seli në Uashington të SHBA-së.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që drejtohet nga Rozeta Hajdari, nuk e ka bërë negocimin me asnjë operator tjetër, duke ia dhënë kontratën direkt një operatori, përkatësisht një kompanie nga Amerika.
Por, për këtë tender ka dyshime se është shkelur ligji, pasi tenderi prej 30 mijë eurove është dhënë pa përfillur procedurat e publikimit të kontratës, ashtu siç e parasheh Ligji për Prokurimin Publik.
Ligji për Prokurimin Publik parasheh ku dhe kur mund të përdoret kjo mënyrë e dhënies së kontratës.
Neni 35 i Ligjit të Prokurimit Publik e specifikon se në cilat raste mund të bëhet një kontratë e tillë.
“Nëse për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”, thuhet në këtë ligj.
Por, në rastin e MINT-it, dhënia e një kontrate për shërbime juridike nuk nënkupton që ka qenë gjendje emergjente.
Është telefonuar të martën udhëheqësin e Zyrës së Prokurimit në MINT, Bexhet Asllanin, për ta pyetur lidhur me këtë tender, mirëpo ai na ka këshilluar t’i drejtohemi zyrës së informimit të këtij institucioni.
Janë dërguar pyetje po atë ditë në Zyrën për Informim në MINT, por ky institucion nuk ka kthyer fare përgjigje.