Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar prindërit që dërgojnë fëmijët në pishina.
Përmes një komunikate për media, MSh kërkon që prindërit të marrin masat e nevojshme për sigurinë e fëmijëve si në pishina të hapura dhe të mbyllura, ashtu edhe në ato familjare.
“Me ngritjen e temperaturave, larja në pishina është aktivitet ku përfshihen shumë fëmijë. Por, zhvillimi i këtij aktiviteti rekreativ në kushte të mos zbatimit të disa masave të sigurisë, bart edhe rreziqe për shëndetin e fëmijëve. Këto rreziqe përfshijnë infeksionet bakteriale, virale ose parazitare nga uji i papastër, irritimet e lëkurës dhe syve, djegiet nga dielli. Rrezik i shtuar për fëmijët janë rrëshqitjet, rëniet e deri tek mbytja, sidomos për ata fëmijë që ende nuk dinë të notojnë”, thuhet në komunikatë.
Më poshtë lexoni këshillat e MSh-së për sigurinë e fëmijëve në pishina:
Mbikëqyrjen e vazhdueshme që nënkupton se fëmijët duhet të jenë gjithmonë nën mbikëqyrjen e një të rrituri përgjegjës kur janë në pishinë;
Mësimin e notit përmes inkurajimit dhe regjistrimit të fëmijëve në shkolla të notit për t’u siguruar që ata të mësojnë të notojnë në mënyrë të sigurt;
Përdorimin e pajisjeve ndihmëse për fëmijët që nuk dinë të notojnë mirë, si krahët ndihmës të mbushur me ajër, jelekët e shpëtimit, ose rripat ndihmës, të përshtatura sipas moshës dhe peshës së fëmijës;
Rritjen e sigurisë së pishinës duke kontrolluar rregullisht cilësinë e ujit për të shmangur infeksionet dhe sëmundjet dhe duke siguruar sistem të mirë filtrimi dhe dezinfektimi për të mbajtur ujin e pastër;
Kujdesin për sipërfaqet e rrëshqitshme, duke i mësuar fëmijët të ecin ngadalë dhe të mos vrapojnë rreth pishinës për të shmangur rrezikun e rënieve dhe mbajtja e sipërfaqeve rreth pishinës të thata;
Mbrojtjen nga dielli kur bëhët fjalë për pishina të hapura përmes përdorimit të kremit diellor me faktor mbrojtës të lartë dhe riaplikimi rregullisht, sidomos pas daljes nga uji, veshja e fëmijëve me rroba mbrojtëse nga dielli, si bluza me mëngë të gjata dhe kapela dhe;
Përdorimi i syzeve të notit për të mbrojtur sytë e fëmijëve nga irritimet e shkaktuara nga klori dhe kimikatet e tjera në pishinë, bashkë me larjen e fëmijëve me ujë të pastër pas notit për të hequr çdo kimikat të mbetur në lëkurë.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje dhe i inkurajon prindërit që të ndërmerren këto masa për të siguruar që fëmijët të jenë të mbrojtur gjatë larjes në pishina dhe për të parandaluar dhe evituar rreziqet e mundshme. Bashkëpunimi dhe përkushtimi për sigurinë e fëmijëve është çelësi për një verë të shëndetshme dhe të sigurt për fëmijët.