Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar pasi është mbajtur mbledhja vjetore e Këshillit Ministror, ku pjesëmarrës ishin 46 shtete të KiE, shkruan GazetaEnigma.
Gërvalla ka reaguar përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ku shpalosi detaje se për çfarë u diskutua dhe theksoi se kërkesa e Kosovës për anëtarësim ka qenë prezente në këtë mbledhje, edhe pse nuk ka qenë në rend të ditës.
Gërvalla erdhi me një shpjegim ‘interesant’ ku thotë: “Mbështetja ka ardhur sot nga shtete të mëdha dhe të vogla, me peshë shumë të madhe dhe të tilla me peshë më të vogël gjeostrategjike për kontinentin tonë.”
Dhe se deri tani përveç Serbisë, asnjë shtet tjetër nuk është deklaruar kundër anëtarësimit të Kosovës, në KE. / GazetaEnigma
Postimi i plotë:
“Më 12 maj, pra para më pak se 10 ditësh, në emër të Republikës së Kosovës kam dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Siç e kam theksuar edhe atë ditë, ky është vetëm hapi i parë formal në një proces të gjatë dhe plot sfida. Këtij hapi të rëndësishëm dhe të domosdoshëm i kanë paraprirë me dhjetëra biseda parapërgatitore të MPJD-së, të Presidentes, Kryeministrit dhe përfaqësuesve të institucioneve të tjera të Republikës me partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë. Po ashtu edhe Kuvendi i Kosovës, Kryetari dhe deputetët e tij, kanë zhvilluar biseda të shumta me deputetë dhe delegacione të ndryshme parlamentare të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Rezultat i këtij koordinimi dhe këtyre bisedave dhe i situatës së veçantë gjeopolitike të krijuar në Evropë ka qenë edhe dorëzimi i kërkesës më 12 maj.”