Në takim është diskutuar për sundimin e ligjit në Kosovë si dhe bashkëpunimin e nevojshëm për çështjet e reformës në drejtësi.
Ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog, fillimisht përgëzoi Ministrinë e Drejtësisë për miratimin e Strategjisë, duke e konsideruar këtë si një gjë mjaft pozitive për sundimin e ligjit në Kosovë duke theksuar kështu rëndësinë e implementimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit.
Në anën tjetër, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shprehu përkushtimin e saj për zbatimin e Strategjisë, me ç’rast njoftoi Ambasadorin për hapat konkret të ndërmarra deri tani për zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit.
Në takim janë diskutuar edhe çështje të rëndësishme sa i përket reformës në drejtësi, përfshirë procesin e vettingut, projektligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, draft-kodin civil si dhe Marrëveshjen e Brukselit për drejtësi.
Lidhur më këtë reformë, në takim u theksua rëndësia e reformës përmbajtjesore dhe profesionale.
Ministrja Haxhiu shprehu përkushtimin e saj për realizimin e programit qeverisës dhe përmbushjen e zotimeve në fushën e sundimit të ligjit, kurse Ambasadori Szunyog theksoi gatishmërinë për t’i dhënë mbështetje përmes ekspertizës profesionale, reformës përmbajtjesore në drejtësi.
Të dyja palët në takim shfaqën gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm në çështjet e sundimit të ligjit.