Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka takuar anëtarët e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencë.
Haxhiu shprehu rëndësinë e mirëfunksionimit të Komisionit si dhe organizimit sa më të kompletuar të krejt procesi, të cilit do t’i nënshtrohen juristët e rinj.
Ndër tjera, ministrja Haxhiu kërkoi nga të gjithë anëtarët që të jenë në nivelin e detyrës dhe gjithashtu, që në përputhje me legjislacionin dhe kriteret profesionale, të zbatojnë përgjegjësitë të cilat iu janë besuar, duke kthyer kështu kredibilitetin dhe profesionalizimin në këtë proces.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Albert Zogaj, në emër të Komisionit ka shprehur falënderimet për besimin e dhënë duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin që Komisioni të jetë në nivelin profesional gjatë ushtrimit të kësaj përgjegjësie.
Sipas njoftimit nga Ministria e Drejtësisë thuhet se, Zogaj tutje ka vënë në pah rëndësinë që Komisionit dhe tërë procesit, t’ia kthejnë integritetin dhe profesionalizmin e munguar.
Në kuadër të reformave, ditë më parë Ministrja e Drejtësisë gjithashtu kishte ulur tarifat 50% për kandidatë të cilët do t’i nënshtrohen provimit si dhe për vet anëtarët e Komisionit.
Ditëve në vazhdim, Ministria e Drejtësisë do të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbajtjen e Provimit të Jurisprudencës, me ç’rast shumë juristë do të kenë mundësinë që t’i nënshtrohen.