Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se rastet e dhunës në familje janë shqetësuese dhe hisedar të fajit mban edhe sistemi i drejtësisë i cili nuk është treguar efikas në trajtimin e këtyre rasteve dhe mbrojtjen e jetës së grave.
Ajo ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë do të kordinohet me institucionet e tjera në luftimin e kësaj dukurie.
“Përgjegjësia më e madhe mbetet tek institucionet e drejtësisë sepse rastet e dhunës në familje nuk po trajtohen me seriozitetin më të madh. Këto veprime për bindjen time janë inkurajim për të gjithë dhunuesit dhe kriminelet të cilët mendojnë se kanë të drejtë të cenojnë bashkëshortet e tyre prandaj do të kërkoj nga institucionet e drejtësisë që t’i trajtojmë me seriozitet këto raste. Në të kaluarën kemi pasur humbje të jetëve të grave për faktin se institucionet nuk kanë vepruar. Sikur të ishin marr masa disiplinore qoftë edhe me largim nga vendi i punës të prokurorëve, gjyqtarëve apo policëve të cilët nuk e kanë mbrojtur jetën e gruas padyshim që rastet e tilla nuk do të përsëriteshin shumë” ka thënë ajo.