Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se ka rritur intensitetin e mbikëqyrjes në sektorin e derivateve të naftës, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Sipas njoftimit zyrtar, inspektimet në terren janë shtuar ndjeshëm gjatë kësaj jave, përfshirë edhe ditën e sotme, ku katër ekipe inspektuese janë të angazhuara nëpër komuna të ndryshme të vendit, për të kontrolluar operatorët ekonomikë që merren me tregtimin e derivateve të naftës
Ministria ka paralajmëruar se raporti përfundimtar i inspektimeve do të publikohet brenda ditës, dhe do të përfshijë të dhëna për parregullsitë e hasura dhe masat që do të ndërmerren ndaj operatorëve të papërgjegjshëm.
“Mbrojtja e konsumatorit dhe parandalimi i abuzimeve me çmimet e produkteve të naftës është prioritet për MINT. Për këtë arsye, do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër tregun dhe të ndërmarrim masa konkrete ndaj shkelësve të ligjit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.