Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë -MINT, e cila drejtohet nga ministrja, Rozeta Hajdari ka kompensuar punonjës serbë pa vijueshmëri në punë.
MINT gjatë vitit 2022 ka realizuar pagesa në vlerë prej 127,298 euro për 25 punonjës të cilët nuk evidentohen për vijueshmërinë në punë dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Kjo e gjetur është evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditmit në raportin për MINT lidhur me pasqyrat financiare të vitit 2022.
Me vendimin nr. 06/39 te datës 22.07.2015, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduar të Marrëveshjes se Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për integrimin e personelit nga ish e ashtuquajtura “Mbrojta Civile”. Sipas auditorit, përmes këtij vendimi, MTI kishte angazhuar 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës.
“Këta punonjës nuk kishin punuar asnjëherë për MTI që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemërimet a tyre. Rrjedhimisht, sipas konfirmimeve nga zyrtarët relevant, për të njëjtit nuk kishte dëshmi të vijueshmërisë në punë. Shpenzimi për vitin 2022 për pagat e të punësuarve për këtë kategori ishte 127,298€”, thuhet në raport.
Kjo dukuri po vazhdon të jetë prezentë ndër vite edhe pse është raportuar në vazhdimësi nga Raportet e auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmarrë masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve.
“Pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare, konsiderohen si pagesa të parregullta dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë. Ministrja duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore”, ka vlerësuar MINT.
Kujtojmë se neni 8 i Rregullores (QRK) Nr.12/2020 Për Orarin e Punës dhe Pushimet e Zyrtarëve”, përcakton se “Gjatë orarit të punës të gjithë zyrtarët publik janë të obliguar të jenë në vendin e punës. Çdo zyrtar publik shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik“.
Ky raport i auditorit rezultuar me shtatë komandime, prej tyre dy janë rekomandime të reja, dhe pesë të përsëritura.