Shqipëria arriti që të fitonte me shifrat 3-0 kundër Çekisë. Kuqezinjtë ngritën peshë zemrat e tifozëve me një tjetër super performancë, duke i lënë të gjithë të shtangur. Emisioni “Koha Shtesë” ka zhvilluar një tjetër intervistë me trajnerin e njohur Ismet Munishi, për të analizuar këtë përballje. Munishi u shpreh i gatshëm edhe për të marrë para borxh nëse nuk do të kishte mundësinë, vetëm që të shkonte për të parë Kombëtaren në Gjermani.
“A do të shkoja në Gjermani me para borxh? Po! Borxhi e paguan prapë, por Gjermania ikën. I merr paratë borxh, e sheh Shqipërinë, kthehesh punon, borxhin e kthen. Por atë ndeshjen që nuk e ke parë, nuk e kthen dot në jetë kurrë.
Silvinjo ka punuar shumë që çekët të mos shënojnë gol. Jasir Asani kur u lodh, u fut menjëherë Muja që Shqipëria të mos bierë nga aspekti fizik në pjesën mbrojtëse. Kur Cikalleshi u lodh, u fut menjëherë Daku. Po mbrohen 11 lojtarë dhe po sulmojnë 11 lojtarë. Ne duhet të kënaqim me rezultatin 3-0, të mos kërkojmë më shumë, të respektojmë edhe kundërshtarin. Të na pyesnin para ndeshjes, do ta nënshkruanim të gjithë. Të mos lazdrohemi, të respektojmë pak edhe rivalin. Shyqyr erdhi dita që të mëshirojmë edhe rivalin (qesh). Silvinjo ka shumë energji, bravo i qoftë, asnjë trajner nuk ka qenë kaq energjik sa Silvinjo që vrapon thuajse sa lojtarët në fushë. Shikon gjithçka me detaj.
Mirlind Daku? Ia pasoi Taulant Seferit ashtu siç e kisha mësuar edhe unë. Është një shpirt njeriu. E kam trajnuar Mirlindin, kam punuar me të, ia di shumë mirë vlerat këtij sulmuesi. Po tregon respekt për familjet e dëshmorëve, po tregohet fantastik në fushën e blertë. Pas ndeshjes kundër çekëve në Pragë, për atë pasim të gabuar, e pyeta Dakun sesi ishte. Më tha: “Jam mirë, por Silvinjo më do shumë”. Silvinjo po e mbështet shumë”, tha Munishi.