Top golashënuesi i Supërligës së Kosovës, Mirlind Daku është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet miqësore të cilat do të luhen ndaj San Marinos dhe Maltës.
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka deklaruar se ftesa për Mirlind Dakun si dhe për portierin Betim Halimin ka ardhur pasi në ekipin e Kosovës janë paraqitur dy mungesa.
Mbrojtësi i Kosovës, Ibrahim Dresheviq nuk do të paraqitet në dy ndeshjet miqësore për shkak se është i infektuar me COVID-19 kurse tjetër mungesë është edhe portieri Aro Muriq i cili nuk do të paraqitet në këto dy ndeshje shkaku i një lëndimi.
Trajneri Challandes ka deklaruar se në këto ndeshje miqësore do të testohen edhe lojtarët e rinj siç është edhe Astrit Selmani.
Ai ka deklaruar se në fazën ofensive Kosova nuk vuan dhe se përzgjedhja e lojtarëve është bërë me kujdes.
Trajneri ka falënderuar Atdhe Nuhiun dhe Anel Rashkajn për kontributin e tyre të cilët e kanë dhënë për kombëtaren e Kosovës. Këta dy lojtarë kanë konfirmuar se janë pensionuar nga ekipi kombëtar.