Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka deklaruar se gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të Shqipërisë më 25 prill “partia në pushtet kishte përparësi në zgjedhje për shkak të kontrollit në administratën vendore dhe keqpërdorimit të burimeve administrative”, gjë që e konstatoi edhe Misioni i OSBE-së.
Misioni amerkan shpërndau një deklaratë ku theksoi se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbeten një problem dhe akoma më shqetësues është publikimi i të dhënave personale të qytetarëve.
“SHBA përsërit se institucionet e drejtësisë duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo individ, që shkel ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit për zgjedhje të lira e të ndershme” – theksoi Misioni amerikan në OSBE.
Të nesërmen e zgjedhjeve të 25 prillit, vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve të përgjithshme deklaruan në raportin paraprak se partia në pushtet përdori burimet qeveritare në fushatë dhe mori avantazh nga kjo bazë. Vëzhguesit thanë se morën shumë pretendime për shitblerje votash. Ata dënuan tensionimet dhe vrasjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve disa ditë para votimit.
“Pati pretendime nga dyja palët për shitblerje të votave gjatë periudhës së fushatës, tha ambasadorja Ursula Gacek, drejtuesja e Misionit të OSBE/ODIHR-it. – Një seri rastesh dhe pretendimesh për këtë po hetohen nga prokuroria shqiptare dhe ODIHR do t’i ndjekë po ashtu”.
Vëzhguesit pohuan se shitblerja e votës vazhdon të mbetet shqetësim kryesor në Shqipëri, se ministrat vazhduan fushatën me burime shtetërore, dënuan ashpër vrasjen e një personi dhe plagosjet në Elbasan, dhe Publikimin e të dhënave personale të kryeqytetit gjatë fushatës e ci;ësuan shkelje, që duhet hetuar.