Përfaqësuesja e Serbisë po e mban konferencën për ndeshjen me Zvicrën, që është vendimtare për kalim në raundin nokaut të Kupës së Botës.
Në konferencë po flasin selektori Dragan Stojkoviq dhe sulmuesi kryesor, Aleksandar Mitroviq. Zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Serbisë nuk ka lejuar përgjigjet që nuk kanë të bëjnë me futbollin.
Lidhur me ndeshjen e para katër vjetëve në Rusi, të cilën Zvicra e fitoi 2:1, ka folur sulmuesi Mitroviq.
“Nga ana jonë nuk ka kurrfarë problemesh në raport me ndeshjen e para katër vjetëve. Tani janë këtu edhe lojtarë të tjerë, lojë e re, atmosferë e re. Çka do të bëjë kundërshtari, tifozët, në këtë nuk mund të ndikojmë. Fokusi është te ne, që të luajmë ashtu si kërkon selektori. Nëse luajmë si dimë, do të kalojmë tutje”, ka thënë Mitroviq.
Selektori Stojkoviq ka thënë se të gjithë kanë emocione.
“Të gjithë kemi emocione, nuk jemi robotë. Tifozët po ashtu vijnë me shumë emocione. Kjo është normale. Në Botëror secila pikë, secili gol është i rëndësishëm. Nëse fitojmë ndaj Zvicrës do të kuptohet rëndësia e pikës me Kamerunin. Jemi këtu për të dhënë çdo gjë për vete. Na pret ndeshje e vështirë”, ka thënë selektori i Serbisë.