Kazuyoshi Miura vazhdon ta sfidojë kohën. Sulmuesi japonez i shënoi dy gola në fitoren 7-0 të Fukushima United ndaj Iwaki Furukawa, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Perandorit.
Kapiten dhe titullar, Miura u regjistrua në listën e golashënuesve në minutën e 12-të dhe të 52-të, duke e shkruar një tjetër faqe në historinë e futbollit.
Goli i parë erdhi pas pothuajse katër vitesh nga realizimi i tij i fundit zyrtar, i cili datonte në nëntor të vitit 2022, shkruan “Gazeta Express”.
Një tjetër dëshmi e jetëgjatësisë së jashtëzakonshme të njërit prej ikonave të futbollit japonez.
Karriera e Miurës ka nisur që në vitin 1986, në Brazil, dhe më pas ka vazhduar në Japoni, Itali, ku e veshi fanellën e Genoas, si dhe në Kroaci, Australi dhe Portugali.
Me kombëtaren e Japonisë, “King Kazu” i ka zhvilluar 89 ndeshje dhe i ka shënuar 55 gola, duke u bërë njëri nga protagonistët e rëndësishëm të lindjes së J.League në vitin 1993.
Në moshën 59-vjeçare, Miura nuk jeton vetëm me nostalgjinë dhe famën e së kaluarës.
Ai vazhdon të stërvitet, të luftojë për një vend në formacion dhe ta vendosë eksperiencën e tij në shërbim të skuadrës.
Kontrata e tij me Fukushima United skadon në qershor të vitit 2027, ndërsa objektivi i radhës tashmë është i përcaktuar: ta festojë 60-vjetorin më 26 shkurt dhe të vazhdojë të thyejë rekorde.
“King Kazu” nuk e ka ndërmend të ndalet dhe, në moshën kur shumica e futbollistëve kanë vite që e kanë mbyllur karrierën, ai vazhdon ta shkruajë historinë e tij në fushën e futbollit.
