Ulcerat (aftet) në gojë mund të shkaktojnë dhimbje të padurueshme dhe mund ta vështirësojnë të folurit dhe ngrënien. Studimi i ri, i publikuar në “Quintessence International” zbulon se ekziston një mënyrë krejtësisht e thjeshtë dhe efektive për t’i shëruar aftet, dhe madje pa përdorimin e kremit kortikosteroid.
Në studim ishin përfshirë 94 persona që vuanin nga aftet. Shkencëtarët i kanë ndarë ata në dy grupe. Njëri grup i kishte trajtuar aftet me mjaltë ndërsa grupi tjetër me krem kortikosteroid. Të gjithë pjesëmarrësit duhej t’i lyenin aftet pas çdo vakti për një periudhë prej 8 ditësh ose në ndërkohë të ndalonin me lyerjen në qoftë se aftet ishin shëruar plotësisht.
Ata gjithashtu e plotësuan një pyetësor që përfshinte pyetje në lidhje me nivelin e dhimbjes dhe simptomat në përgjithësi. Rezultatet treguan se pjesëmarrësit të cilët përdoren mjaltin kishin ndier simptoma të reduktuara madje vetëm pas 3 deri në 5 ditë.
Ata gjithashtu konstatuan se inflamacioni është zvogëluar shumë më shpejt dhe se shumica e afteve filluan të zvogëlohen më herët se tek pjesëmarrësit të cilët kishin përdorur kremra kortikosteroide.
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se mjalti ka aktivitet antiinflamator dhe analgjetik, që është arsyeja se pse është efektiv në trajtimin e afteve, por edhe në problemet e të tjera të lëkurës si aknet, puçrrat, gërvishtjet, prerjet dhe kallot.