Mjeku nga Peja shpëton jetën e një të riu amerikan në aeroplan

Mjeku nga Peja shpëton jetën e një të riu amerikan në aeroplan

“Ishte pothuajse pa shenja jete… pas 45 minutash hapi sytë dhe dhuroi buzëqeshje”.

Këto fjalë përmbledhin momentet dramatike të një fluturimi transatlantik nga Vjena drejt New York-ut, ku një akt humanizmi i një kosovari u kthye në mrekulli.

Protagonist është Malë Dautaj, mjek nga Peja, i cili me profesionalizëm dhe guxim arriti të shpëtojë jetën e një të riu amerikan.

Në aeroplanin e mbushur me udhëtarë, mjeku nga Kosova u gjend në këtë situatë emergjente gjatë një fluturimi, e para që i kishte ndodhur në jetë.

Këtë përvojë të jashtëzakonshme, që ai e përjetoi me përgjegjësi të madhe, por edhe me krenari profesionale, Malë Dautaj, e ndau në një rrëfim.

Ai tregoi fillimisht momentin kur u kërkua ndihmë për pasagjerin, gjendja shëndetësore e të cilit po përkeqësohej me shpejtësi dhe pothuajse ishte pa shenja jete.

“Rreth orës 16:00 pasdite, gjatë fluturimit mbi oqean, në aeroplanin e Vjenës duke shkuar në Nju Jork, kam vërejtur një situatë emergjente në mes të kabinës. Një djalë kishte filluar të përkeqësohej dhe u kërkua menjëherë ndihmë.”

Në ato çaste kritike, Dautaj iu afrua pacientit dhe e kuptoi menjëherë seriozitetin e gjendjes së tij.

“U afrova pranë pacientit dhe vërejta se në ato momente ishte i shtrirë, pothuajse pa shenja jete. Fillimisht e tërhoqëm drejt pjesës së përparme të aeroplanit, ku u shtri për të mundësuar ndërhyrje më të sigurt.”

Përballë një situate ku çdo sekondë ishte vendimtare, përgjegjësia që mori mbi vete ishte jetike për fatin e të riut amerikan.

Ai rrëfeu tutje se intervenimi ishte i domosdoshëm për ta kthyer pacientin në jetë.

Ndërhyrjen e realizoi me pajisjet personale që kishte me vete, si dhe me mjetet e ofruara nga ekuipazhi i avionit.

“Vrapova për të marrë mjetet nga çanta ime personale dhe më pas kërkova nga ekuipazhi çantat me pajisjet e nevojshme. Me ndihmën e një djalit që më asistoi gjatë gjithë kohës, filluam trajtimin emergjent. Ishte një përgjegjësi shumë e madhe, por ishte e domosdoshme ta kthenim pacientin në jetë, përndryshe situata do të ishte fatale”, tha ai për Klan Kosovën.

Përpjekjet zgjatën pothuajse një orë dhe falë reanimimit të pandërprerë dhe përkushtimit maksimal, i riu buzëqeshi.

Momentet e rikthimit në jetë të tij u shoqëruan me duartrokitje nga pasagjerët, ndërsa për mjekun nga Kosova me 27 vjet përvojë pune, ky ishte shpërblimi më i madh emocional dhe profesional.

“Vura re se pacientit i mungonte oksigjeni. Pas rreth 45 minutash reanimimi dhe ndërhyrjeje të vazhdueshme, pacienti hapi sytë dhe dhuroi buzëqeshjen e parë, moment që ishte jashtëzakonisht prekës. Pas kësaj, duartrokitjet që mora, ishin vërtetë impresionuese, pasi ishte hera e parë që bëra një veprim të tillë në aeroplan. U ndjeva me të vërtetë i lumtur” – përfundoi Dautaj rrëfimin.

Related Articles