Zëdhënësja për media e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arieta Mjeku, ka njoftuar se sivjet sasia e manganit në ujë është më e lartë se viteve të kaluara, duke u shprehur se uji vazhdon të mos përdoret për pije dhe ushqim.
Ajo ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se KRU “Prishtina” po i përfill rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike duke bërë thirrje që uji të mos konsumohet, si dhe po shpëlahen gypat magjistral dhe ata sekondarë.
“Ujin për pije po e përgatitim përmes autobotëve që po punojnë që nga ora 8:00 deri në 22:30. S’kemi vështirësi të furnizojmë me ujë për pije, jemi më të përgatitur se vitin e kaluar. Kjo nuk është hera e parë që ka rritje të sasisë së manganit në Badoc. Vitet paraprake sasia e manganit ka qenë më e lartë për 2-3 ditë, e në atë periudhë kishim zvogëluar prodhimin e ujit që të ruanim kualitetin. Të shohim sivjet”, ka deklaruar Mjeku.
Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale ka shtuar se ky fenomen është krejtësisht natyror, për shkak të ditëve të nxehta e netëve të ftohta.
“Kjo është dukuri kur ditët janë të nxehta e netët të ftohta. Kjo ndodh në të gjitha liqenet e botës. Është diçka e natyrës. Fokusi është këtu edhe ekipet e terrenit janë fokusuar që sa më shpejt të tejkalohet kjo situatë”, ka shtuar ajo.
Sipas Mjekut, kjo sasi e lartë e manganit në ujë nuk ndikon nëse ai konsumohet për 7 deri në 10 ditë, por efektet mund të jenë pas kësaj periudhe kohore. Ajo ka shtuar se mangani nuk ndikon në lëkurë dhe mund të shfrytëzohet për pastrim.
“…Nëse sasia e manganit është e lartë mund të shihet edhe me sy, ka ngjyrë kafe, por tash s’është ajo sasi e madhe që ta shohim me sy në krojet tona. Në pastrim nuk ndikon në lëkurë, mund të pastrohen rrobat si ujë teknik ,por vetëm për ushqim e pije jo”, ka thënë ajo.