Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë shtuar shqetësimet e të gjithëve.
Të frikësuar nga lufta e hapur mes Iranit dhe Izraelit kanë qenë këtë të diel edhe pushuesit e një plazhi të Heraklionit në Greqi kur panë një objekt ajror në rërë.
Në panik, duke menduar se ishte një dron iranian ata njoftuan policinë.
Në fund rezultoi se objekti ajror ishte përdorur në poligonet e qitjes së ushtrisë greke për të testuar disa sisteme armësh duke u lëshuar në det.
Mediat greke thanë se objekti ajror ishte joaktiv dhe i padëmshëm. Sipas informacioneve të mediave greke, për rikuperimin e tij janë njoftuar organet kompetente.
Nga ekzaminimi i parë vlerësohet se ai kishte qenë prej kohësh në det pasi në pjesët metalike kishte shenja të forta ndryshku.
Ky është një objekt i prodhuar nga një kompani me qendër në Britaninë e Madhe, me qëllim trajnimin e ekuipazheve të sistemeve kundërajrore.