Milionat ndonjëherë nuk arrijnë dot të mundin pasionin dhe një rast i tillë ka nodhur dhe “arkitektin” e mesfushës kroate Luka Modric, i cili ka refuzuar të largohet nga Real Madrid.
Fituesi i “Topit të Artë” refuzoi largimin nga “galaktikët” edhe pse oferta e arabëve të Al-Nassr ishte goxha e konsiderueshme, me klubin nga Riyadhi që ishte i gatshëm të paguante 37-vjeçarin, plot 40 milionë euro në vit.
Sipas mediave spanjolle, kroati mori oferta dhe nga klube të tjera nga Arabia Saudite, si dhe nga kampionati amerikan MLS, por sërish i refuzoi ato, pasi dëshira e tij për të luajtur me “galaktikët” është e madhe.
Ndërkaq, kujtojmë se kontrata aktuale e Luka Modric me Real Madrid skadon në fund të këtij sezoni, me klubin që ende nuk ka marrë një vendim për rinovimin e kontratës së kroatit.