Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Dardan Molliqaj, ka thënë sot se Këshilli Prokurorial i Kosovës është “kapur” nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton Gazeta Enigma.
Në një deklarim për mediat të martën pas një aksioni simbolik pranë Prokurorit të Shtetit, Molliqaj ka thënë se mbështetja e papritur e zyrtarëve qeveritarë ndaj një institucioni të pavarur, siç është Këshilli Prokurorial, sipas tij, është tregues i ndikimit politik mbi të.
“Ju e dini se çdo zhvillim i Këshillit Prokurorial të Kosovës është sulmuar nga ministra, nga kryeministri, nga presidentja, nga kryetari i Kuvendit në vazhdimësi. Hera e parë dhe e vetme që e mbështetën është zgjedhja e kryetarit të ri apo kryesuesit të ri të KPK-së. Pse është i rëndësishëm ky vendim? KPK-ja i ka dy elemente thelbësore që janë të dëshiruara të kontrollohen nga Vetëvendosja. E para: Organizon procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit. Siç edhe e dini, që katër vjet Kosova është pa kryeprokuror për herë të parë në historinë e këtij institucioni, për shkak se kryeministri Albin Kurti ka dalë në Kuvendin e Kosovës dhe ka deklaruar publikisht që nuk do të zgjidhet personi, i cili është rekrutuar gjatë një procesi në Këshillin Prokurorial. Pra, nuk është refuzuar në mënyrë demokratike, procedurale, por është refuzuar politikisht, publikisht. E dyta: Rekrutimi i kryeprokurorëve, i cili është po ashtu gjë shumë e rëndësishme”, ka thënë Molliqaj.
