Molliqaj arrin marrëveshje me Prokurorinë lidhur me sulmin ndaj zyrtarit policor

Molliqaj arrin marrëveshje me Prokurorinë lidhur me sulmin ndaj zyrtarit policor

Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të arritur ndërmjet Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Dardan Molliqajt- kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) lidhur me akuzën për sulm ndaj zyrtarit policor në protestën e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës në vitin 2022.

Prokurorja Ardiana Veseli tha se i pandehuri përmes mbrojtësit të tij ka parashtruar kërkesë për negocimin e marrëveshjes së pranimit të fajësisë, andaj me aprovimin e kryeprokurorit Zejnullah Gashi, është arritur kjo marrëveshje, raporton Betimi për Drejtësi.

Prokurorja propozoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim me pëlqimin e të pandehurit të zëvendësohet me gjobë në shumën prej 500 deri në 550 euro.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Molliqaj, avokati Dren Kukaj deklaroi se e mbështesin këtë marrëveshje.

Gjyqtarja e rastit, Valbonë Fejza tha se janë plotësuar kushtet ligjore lidhur me marrëveshjen, kështu që e njëjta u aprovua nga Gjykata.

Shpallja e aktgjykimit u caktua për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2022, Dardan Molliqaj akuzohet se më 29 janar 2022 rreth orës 14:00, në Prishtinë, e ka sulmuar personin zyrtar- tani të dëmtuarin Valon Braha, i cili ka qenë në cilësinë e zyrtarit policor së bashku me kolegët e tij i angazhuar në planin operativ për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si rrjedhojë e protestës së organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD) për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorë, si dhe për të penguar hyrjen e protestuesve në objektin e Qeverisë.

Related Articles