Kryetari i Partisë Scial Demokrate, Dardan Molliqaj, ka ripërsëritur qëndrimin e tij, për çka edhe partia e tij kishte protestuar se kryeministri Albin Kurti është veteran i rrejshëm.
“Albini është veteran i rrejshëm dhe ne për këtë kemi bërë kallëzim penal. Albin Kurti nuk i plotëson kriteret sipas ligjit që të jetë veteran. Unë e ftoj publikisht secilin gazetar që t’ia bëj pyetjen dhe nëse ai është i gatshëm që të përgjigjet publikisht që ‘unë i plotësoj kriteret ligjore për të qenë veteran’. Duhet ta kemi parasysh që mund të jesh pjesëmarrës i luftës, por pjesëmarrësi dhe veterani janë dy kategori të ndryshme”.
Molliqaj, në “Rubikon” të Klan Kosovës, ka treguar momentin kur Albin Kurti thotë se e kishte konsultuar atë (që ishte Sekretar Organizativ i Vetëvendosjes) dhe Rexhep Selimin nëse duhet të aplikojë për statustin e veteranit të UÇK-së.
Ai thotë se Adem Demaçi, që ishte udhëheqës politik i UÇK-së, në zyrën e të cilit kishte punuar Kurti nuk i kishte kërkuar Albin Kurtit që të aplikojë për statusin e veteranit. Madje, thotë se në atë kohë Demaçi dhe Kurti nuk komunikonin fare.
“Unë e mbaj mend shumë mirë që takimi ka qenë në zyrën e Vetëvendosjes te Qafa ku kemi qenë tre veta në takim – Rexhep Selimi, unë dhe Albin Kurti – kur na ka pyetur nëse duhet të aplikojë për statusin e veteranit. Kjo ka qenë kërkesë prej zyrës së Adem Demaçit. Nuk e ka ftuar kurrë Adem Demaçi, se këta kanë qenë me u fsheh pas Adem Demaçit sa herë që ju vyn. Madje, në atë kohë s’kanë folur fare mes vete [Adem Demaçi dhe Albin Kurti]. Me Adem Demaçin nuk ka folur prej kur ai ka dashur që të bëhet president në vitin 2011 dhe ne si Vetëvendosje e kemi refuzuar deri në vitin që s’e di saktë por që Adem Demaçi ka pasë një gjendje të rënduar shëndetësore dhe ka qenë në spital për ta vizituar. Në ndonjë akademi kanë mundur të përshendeten, por s’kanë pasë takime dhe komunikim fare. Kërkesa ka qenë e një zyrtari të grupit të zyrës së Adem Demaçit dhe na ka pyetur”.
Molliqaj thotë se ai i kishte thënë Kurtit që nuk ishte veteran i UÇK-së prandaj edhe nuk duhet të aplikojë për këtë status, derisa Selimi ia kishte kërkuar që të bënte të kundërtën e kësaj.
“Ka pasë dy opinione, opinion jem që ka qenë kundër dhe i kam thënë që nuk je veteran. Ia kam thënë drejtpërdrejt në zyren e VV-së që nuk je veteran dhe nuk ke nevojë. Nuk ka pasë ndonjë dëshirë Albin Kurti në atë kohë që të aplikojë, madje e ka shtyer një kohë të gjatë dhe nëse nuk gabohem ka aplikuar ditën e fundit të afatit për aplikim. Nuk ka aplikuar Adem Demaçi për të, sepse është dashur secili individualisht të nënshkruajë formularin e aplikimit dhe Kurti ka shkuar të nënshkruajë. Unë i kam thënë që nuk je në bazë të asaj që ka dhënë dorëheqje nga UÇK-ja për bindjet e veta politike, derisa sugjerimi i Rexhep Selimit ka qenë ‘të lutem bëje, sepse po mendojnë që ti je kundër UÇK-së’ dhe ‘meqë krejt zyra e Adem Demaçit po bëhet dhe nëse vetëm ti nuk bëhesh i bie që s’e pranon UÇK-në”.
Dardan Molliqaj thotë se Albin Kurti është pjesëmarrës i UÇK-së, por insiston se nuk është veteran i luftës.
“Albin Kurti në bazë të asaj që mund ta quajmë ligj është pjesëtar i UÇK-së. Pjesëtar nënkupton se për një pjesë të caktuar të kohës ti ke shërbyer qoftë në UÇK, qoftë në një përfaqësim të UÇK-së, apo qoftë në mbledhje të fondeve për UÇK-në. Është pjesëtar i vërtetë I UÇK-së dhe nuk është veteran. Albin Kurti ka qenë në UÇK, ka kontribuar për UÇK-në dhe nuk mund askush t’ia mohojë, se janë fakte që ia njeh secili”.