​Molliqaj: Jemi kundër konferencës për marrëveshjen Kosovë-Serbi, shpëton Kurtin në pushtet

​Molliqaj: Jemi kundër konferencës për marrëveshjen Kosovë-Serbi, shpëton Kurtin në pushtet

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj deklaroi sot se është jashtëzakonisht i shqetësuar me karakterin e pushtetit politik në Kosovë, i cili sipas tij, përbëhet nga elemente të popullizmit dhe atij autoritar. Ai kritikoi qeverinë, për të cilën tha se e ka degraduar situatën në veri.

Molliqaj u shpreh kundër mbajtjes së konferencës për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Kemi qenë paralajmërues e sinjalizues që ky pushtet vetëm sa do ta zymtësojë Kosovën edhe do të krijojë ambient të pafavorshëm për kategori shoqërore. Siç edhe e dini, gjatë kësa periudhe kohore, ky pushtet i ka shkëputur marrëdhëniet me të gjitha kategoritë shoqërore, as nuk e mbështet studentin, as nuk e mbështet pensionistin, e po ashtu nuk ka shërbime të mira shëndetësore e as arsim cilësor.

Ajo që na shqetëson tutje është veprimet e opozitës parlamentare që ne i cilësojmë si shërbim ndaj këtij pushteti, përkatësisht, Kosova mund të përkufizohet kështu: pushtet i rrezikshëm populist me karakteristika autoritare dhe pa opozitë fare. Prandaj, besoj që ne kemi nis një rrugëtim, i cili rrugëtim përditë e më shumë po merr mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.”, tha ai.

Lidhur me situatën në veri, ai tha se nuk është problemi i ligjit dhe kontrabandës në veri, se ato janë të pranishme, por aty tha se është problem politik.

Sa i përket mbajtjes së konferencës për marrëveshjen Kosovë-Serbi, Molliqaj u shpreh kundër. Sipas tij, çfarëdo tendence për ta shpëtuar kryeministrin Kurti për të mbetur në pushtet, është keq për Kosovën, raporton kp.

Molliqaj tha se paraqitja e Kurtit në konferencën në fjalë nënkupton shpëtimin e tij në pushtet.

“Veprimet e njëpasnjëshme të Qeverisë së Kosovës e kanë degraduar situatën atje. Tani ju mund të shihni edhe sjelljen e Qeverisë së Kosovës karshi faktorit ndërkombëtar, totalisht e papërgjegjshme, me shumë efekte e dëme karshi Kosovës. Ndërsa, sa i përket konferencës, ne jemi kundër. Çfarëdo tendence për ta shpëtuar kryeministrin Kurti për të mbetur në pushtet, është keq për Kosovën. Sepse, paraqitja e Kurtit në këtë konferencë nënkupton shpëtimin e tij në pushtet”, tha ai.

Molliqaj prezantoi grupin e Partisë Socialdemokrate, për të cilin tha se do ta formojë grupin rinor të kësaj partie. Ai këtë e quajti moment të rëndësishëm për partinë që e udhëheq.

Sonila nga PSD duke iu drejtuar rinisë së Kosovës, që po dëshiron të largohet nga vendi, iu tregoi se në Kosovë ka shpresë dhe që vendi ynë është vend i artë, një vend që siç tha ajo, mund të rregullohet.

Related Articles