Kryetari i Partia Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, lidhur me çështjen e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas Molliqajt, deklarata publike e Kurtit, ku ai ka thënë se Blerim Isufaj nuk mund të bëhet Kryeprokuror sepse “nuk po do kryeministri, nuk po do kryeparlamentari dhe nuk po do presidentja”, përbën dëshmi të qartë të ndërhyrjes politike në një proces që duhet të jetë institucional dhe i pavarur.
Ai ka theksuar se vetëm pas kësaj deklarate, për herë të parë në historinë e Kosovës, presidentja ka refuzuar dekretimin e kandidatit për Kryeprokuror, Blerim Isufaj.
“Ne jemi shteti i vetëm në Ballkan dhe në Evropë që tash e katër vjet nuk kemi Kryeprokuror të Shtetit. Ky është një institucion jetik për funksionimin e drejtësisë dhe shtetit ligjor,” ka thënë Molliqaj në Politiko.
Sipas tij, mungesa e emërimit të Kryeprokurorit për një periudhë kaq të gjatë dëmton seriozisht besimin në sistemin e drejtësisë dhe krijon precedent të rrezikshëm për ndikim politik në institucione të pavarura.
Molliqaj gjithashtu tha se procesi i emërimit të Kryeprokurorit të trajtohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, pa presione apo preferenca politike, duke theksuar se drejtësia nuk mund të kushtëzohet nga vullneti i pushtetit ekzekutiv.
