“Mbas edhe asaj që e quajtën një zhvillim dramatik i 24 shtatorit tash dhuratë presidentit të Serbisë po ia bëjnë Asociacionin”.
Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Social Demokrate (PSD), Dardan Molliqaj, duke pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Molliqaj ka deklaruar se procesi i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe po bart përgjegjësitë më të mëdha në duar të autoriteteve të Beogradit.
Ai ka thënë kjo do të çojë në një pozicion më të dobët Kosovën, duke e larguar atë nga procesi i integritetit të saj territorial.
“Është duke vrapuar me nënshkru draftin e Asociacionit që e paska pranu formalisht publikisht. Ky është lajmi keq për Kosovën jo vetëm për shkak që e bëri Kurti por kushdo që do ta bënte këtë sepse ky institucion do t’u bartet serbëve të Kosovës të cilët janë ma larg nga institucionet dhe integrimi i Kosovës në krejt historinë e Kosovës. Domethënë kurrë ma larg serbët nuk kanë qenë të shtetit të Kosovës dhe ti po jua bart një pushtet të fuqishëm që për ne dhe për secilin që donë me lexu është autonomi, ata mund ta quajnë si duan me emër por është autonomi territoriale politike është identitetet politik në Kosovë”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.
Molliqaj gjithashtu ka akuzuar kryeministrin Kurti se po kryen këtë proces për qëllime personale dhe për të mbajtur kredibilitetin dhe popullaritetin e tij në opinionin publik.
Ai ka theksuar se veprimet e Kurtit deri më tani kanë pasur më shumë pasojë negative sesa pozitive për Kosovën.