Nesër në veri të vendit pritet të vendoset reciprociteti me Serbinë, në aspektin e targave dhe dokumenteve.
Lidhur më këtë ka reaguar kryetari i Partisë Social Demokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj i cili përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka parashtruar disa pyetje për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Kur jemi te reciprociteti me Serbinë, pse jo në fushën e tregtisë? Sepse më vështirë? Sepse aty preken interesa më të mëdha? Sikur ta kishin për qëllim reciprocitetin, atë do ta manifestonin edhe në fushat tjera shumë më vitale. Bilancin tregtar e kemi negativ. Importi nga Serbia vetëm sa është rritur”, ka pyetur Molliqaj Kurtin.
Sipas Molliqaj, kryeministri tash ka vendosur që ta thjeshtëzojë nocionin e sovranitetit.
“Kryeministri tash ka vendosur që ta thjeshtëzojë nocionin e sovranitetit. E ka varur për dokumente kalimi, targash, e nesër kush e di në çka! Por, marrëveshje përfundimtare nuk ka. Të paktën me këtë qasje. E për keqardhje është edhe opozita parlamentare, duke e mbështetur pa kritikë dhe të zënë në faj, një udhë pa krye që sjell rreziqe”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka thënë se Kurti ka zgjedhur elemente të vogla (në krahasim me madhësinë e marrëveshjes përfundimtare) për ta ushtruar pushtetin, kur dihet se kjo çështje ka nyjën të lidhur në dialogun.