Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, pas refuzimit që i ka bërë Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim institucional.
Përmes një statusi në Facebook, Molliqaj e ka vlerësuar si të drejtë dhe të argumentuar refuzimin e LDK-së ndaj Kurtit, duke theksuar se rëndësi të veçantë kanë arsyet që e shoqërojnë këtë vendim, e jo thjesht mohimi politik.
“Refuzimi është përgjigja e duhur ndaj Kurtit. Kështu paska bërë sot Kryetari i LDK-së, z. Abdixhiku… ka nisur mbarë duke përmendur sulmet ndaj demokracisë, lirisë së shprehjes, kapjen e institucioneve dhe rrezikimin e sigurisë nacionale,” ka shkruar Molliqaj.
Megjithatë, Molliqaj shpreh rezerva të forta ndaj propozimit të LDK-së për një Qeveri Nacionale të Tranzicionit, duke e cilësuar këtë rrugë si të “pamundur” dhe kontradiktore në vetvete. Ai thekson se është jologjike të pritet që dikush që, sipas tij, ka cënuar demokracinë dhe institucionet e pavarura, të pranojë dorëzimin e pushtetit përmes konsultimeve.
“Cili autokrat e ka dorëzuar pushtetin në tavolinë? Asnjë deri sot,” shkruan ai, duke shtuar se kjo qasje e LDK-së nuk reflekton vullnet për marrje përgjegjësie të mirëfilltë politike.
Në përfundim, Molliqaj nënvizon se rruga për ndërrimin e qeverisë është vetëm përmes krijimit të një shumice parlamentare nga opozita aktuale, e jo përmes pajtimeve formale që, sipas tij, nuk do të kenë efekt real.