Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, në Debat Plus, ka treguar se në vitin 2018, Dimal Basha, tash deputet i VV-së, e atëherë gazetar, kishte thënë se “Albin Kurti është njeriu më i poshtër në histori”.
Sipas Molliqajt këtë e kishte thënë para gazetarit Vehbi Kajtazi dhe autorit të emisionit Rubikon, Adriatik Kelmendi.
“Në 2018, unë kam qenë në studio Rubikon me Dimal Bashën, atëherë ka qenë gazetar i RRokum TV. Ka ardhë në emision, dëshmitarë kanë qenë Vehbi Kajtazi dhe Adriatik Kelmendi… në dhjetor të 2018, ky ka ardhë me mu në emision, unë kam qenë në VV por kemi pasur probleme, tha unë kam ardhë në emision me sha Albin Kurtin se është njeriu më i poshtër në histori. Në 2018 ka thënë kështu e në 2019 ka hyrë në VV. Prapa kamerave e ka thënë”, u shpreh Molliqaj në “Debat Plus”.
Sipas Molliqajt, deputeti Basha është oportunist dhe se qëndron në VV vetëm për t’i ofenduar të tjerët.
“Dua të them që një specie e caktuar e njerëzve që kanë shku në VV, që kanë shku edhe në PDK e LDK, që s’kanë lënë gjë pa thënë, jo me pas mendim ndryshe, por në kuptimin e cilësimit të karaktereve të tyre, këta janë vetëm oportunista, këta qëndrojnë aty se shajnë të tjerët, jo për mendim e për fuqi”, tha ai.